Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme vendimin që përmirëson trajtimin financiar të efektivëve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Befort Lamallari, përmes një postimi në rrjetin social X, ku theksoi se vendimi synon të garantojë një trajtim më të drejtë dhe motivues për punonjësit që janë në vijën e parë të përballjes me emergjencat.

Sipas ministrit, vendimi parashikon përmirësimin e pagesës për orët shtesë, punën gjatë natës, në ditët e pushimit javor dhe festat zyrtare, si edhe vendos standarde të qarta për mbrojtjen e efektivëve nga mbingarkesa në punë.

“Një lajm i mirë për ata që janë në vijën e parë sa herë që qytetarët kanë nevojë, që përballen me zjarrin, rrezikun dhe çdo situatë emergjente, pa kursyer asgjë nga vetja”, shkroi Lamallari.

Ai e cilësoi vendimin si një tjetër hap të rëndësishëm në përmbushjen e angazhimit të qeverisë për të forcuar dhe mbështetur Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.

“Vendimi i sotëm është një hap tjetër domethënës në përmbushjen e angazhimit që kemi ndërmarrë për të forcuar e mbështetur më tej djemtë dhe burrat që shërbejnë në këtë shërbim tejet të rëndësishëm. Përkushtimi i tyre nuk njeh orar e as vështirësi, ndaj ne kemi detyrimin e përbashkët t’u gjendemi gjithmonë pranë”, u shpreh ministri.