Kontributi i Shefit të Grupit Ushtarak Amerikan në Shqipëri Nënkolonel Joshua A. Magnusson, “në forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dhe për merita të veçanta në realizimin dhe qëndrueshmërinë e programeve të bashkëpunimit ushtarak”, bëri që Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi t’i akordonte “Medaljen e Artë të Shërbimit Ushtarak”.
Akordimi i medaljes përkon edhe me përfundimin e mandatit të nënkolonelit amerikan në krye të këtij misioni.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Nufi nënvizoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA, duke e cilësuar atë një shtyllë themelore të sigurisë sonë kombëtare.
“Është diçka që është thënë dhe që do të vijojë të thuhet, dhe sa herë të na jepet mundësia do ta themi përsëri: Partneriteti ynë me SHBA është një gur themeli i sigurisë sonë kombëtare dhe i qëndrimit tonë kombëtar. Akordojmë Medaljen e Artë për të gjitha shërbimet e tyre ndaj SHBA dhe Shqipërisë.
Është shumë e rëndësishme të vlerësohet një moment i tillë, të nderohen njerëzit që e kanë bërë të mundur këtë, që kanë kontribuar në këtë marrëdhënie, që e kanë forcuar atë dhe që kanë bërë të mundur që Forcat tona të Armatosura dhe vendet tona të qëndrojnë më të forta së bashku”, u shpreh Ministri Nufi.
Gjithashtu, Ministri i Mbrojtjes, Nufi i akordoi certifikatën e mirënjohjes rreshterit amerikan Emmanuel Ebhoomhan, i cili shërben si Koordinator për Operacionet pranë Zyrës së Atasheut Ushtarak SHBA në vendin tonë.





