Kosova e ka shpallur person non grata dhe i ka ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e saj ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç. Vendimi vjen pasi ajo deklaroi disa ditë më parë se, po të ishte pyetur në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të martën në mbrëmje në Facebook se ka firmosur vendimin për ndalimin e përhershëm të hyrjes dhe kalimit të Paunoviqit në Kosovë.

Sipas Sveçlës, me deklaratat e saj, Paunoviç “ka ritheksuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve”.