Mbledhja e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u shoqërua me debate mes kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj, dhe Avokatit të Popullit, Endrit Shabani.

Përplasja mes tyre nisi gjatë diskutimit mbi nivelin e zbatimit të rekomandimeve të institucionit të Avokatit të Popullit. Shabani deklaroi se vetëm një pjesë e rekomandimeve të adresuara ndaj institucioneve shtetërore janë zbatuar, duke shprehur shqetësim për këtë situatë.

“Vetëm 21% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen. Nëse ju jeni të kënaqur me këtë performancë, unë nuk jam”, u shpreh Shabani gjatë mbledhjes.

Deklarata solli reagimin e kryetarit të Komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili i kërkoi Avokatit të Popullit të ndryshonte gjuhën e komunikimit, duke e akuzuar se po përdorte një qasje politike.

“Me çfarë jemi të kënaqur dhe me çfarë jo? Duhet ta ndryshosh gjuhën, sepse po më flet sikur je kryetar partie dhe jo Avokat i Popullit”, deklaroi Xhafaj.

Shabani iu kundërpërgjigj duke theksuar se në Komision ishte paraqitur për të përfaqësuar institucionin që drejton dhe jo për të bërë debat politik.

“Kam ardhur të përfaqësoj institucionin tim. Ky koment nuk ju nderon. Nuk jam politikan”, tha Avokati i Popullit.

Gjatë replikave, Xhafaj iu referua angazhimeve të mëparshme politike të Shabanit, duke thënë: “Ke qenë”.

Në përgjigje, Shabani deklaroi se diskutimi duhet të fokusohej te puna dhe përgjegjësitë institucionale, jo te e kaluara personale.

“Nuk kemi ardhur këtu të tregojmë çfarë kam bërë unë dhe çfarë keni bërë ju në të shkuarën”, përfundoi ai.