Një person ka humbur jetën, tre të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe tre janë plagosur pasi një varkë pontone u përmbys rreth 600 jardë larg ishullit Alcatraz, në San Francisko, të martën.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të San Franciskos, alarmi për një anije në rrezik u mor në orën 15:37 sipas kohës lokale. Njësia detare që mbërriti e para në vendngjarje gjeti një burrë në ujë në gjendje kritike dhe i dha menjëherë ndihmën e parë, por ai u shpall i vdekur pasi u transportua në breg.

Në bord ndodheshin 20 të rritur, kryesisht anëtarë të së njëjtës familje, të cilët po merrnin pjesë në një ceremoni përkujtimore.

Tre persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në një spital lokal, ku sipas autoriteteve ndodhen në gjendje të qëndrueshme.

Ndërkohë, Departamenti i Zjarrfikësve i San Franciskos dhe Roja Bregdetare e SHBA-së kanë vijuar operacionin e kërkim-shpëtimit për gjetjen e tre personave që rezultojnë ende të zhdukur.