Një ditë pas protestës së tyre kundër mbetjeve ditore urbane që grumbulloheshin tek ish-Parku i Autobusëve në Durrês, për komunitetin e zonës vjen lajmi i mirë.

Pirgjet me plehra janë larguar nga aty, fusha është dezinfektuar dhe sipas burimeve nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal, mbetje ditore urbane nuk do të depozitohen më në këtë vend në mënyrë provizore.

“Një fitore” mund të konsiderohet protesta e banorëve, që pas vitesh që bashkëjetonin çdo ditë me erën e rëndë dhe ndotjen alarmante ambientale fare pranë shtëpive e pallateve të tyre më në fund kapitulli i plehrave mund të konsiderohet i mbyllur për ta.