Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ujërat e portit të Cattolica-s në Itali, ku një 45-vjeçar shqiptar është hedhur me makinë në ujërat e portit së bashku me gruan e tij, pas një konflikti të dhunshëm mes tyre. Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite, rreth orës 16:00.

Sipas mediave italiane, çifti ndodhej në një Volkswagen Golf kur pas debatit, 45-vjeçari drejtoi automjetin me shpejtësi drejt kalatës dhe përfundoi në det. Nga përplasja me ujin, dyert u hapën dhe ndërsa automjeti po fundosej, të dy arritën të dilnin nga kabina dhe u shpëtuan nga disa persona që u hodhën në det.

Pas kësaj në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse, policia dhe personeli mjekësor, i cili u dha ndihmën e parë burrit dhe gruas, por papritur 45-vjeçari shqiptar sapo u përmend u arratis mes shkëmbinjve, duke humbur gjurmët e tij. Gruaja ishte në një gjendje shoku dhe u transportua në spital, ku është jashtë rrezik për jetën.

45-vjeçari shqiptar është shpallur në kërkim dhe ishte një person i njohur prej kohësh për forcat e rendit, pasi të martën ishte arrestuar nga karabinierët për rezistencë ndaj autoriteteve, pas një tjetër grindjeje me gruan. Ndërkohë, po vazhdojnë operacionet për të nxjerrë Golf-in nga ujërat e portit.