Të paktën 49 persona kanë humbur jetën dhe 182 të tjerë ndodhen në spital pasi u helmuan nga alkooli i falsifikuar në shtetin Ondo, në jugperëndim të Nigerisë, bëri të ditur një zyrtar lokal.

Më 5 shtator, autoritetet lokale njoftuan se 29 persona kishin humbur jetën brenda një jave pasi kishin konsumuar alkool të falsifikuar. Komisioneri i Shëndetësisë i shtetit Ondo, Bandji Anjaka, tha se numri i viktimave është rritur në 49.

Autoritetet besojnë se vdekjet janë shkaktuar nga helmimi me metanol. Viktimat kishin konsumuar një lloj xhini vendas, të cilin banorët e quajnë “Bishti i Majmunit”, duke nxjerrë në pah rreziqet e pijeve alkoolike të parregulluara, të cilat janë të përhapura në pjesë të ndryshme të Nigerisë, pasi janë të lira dhe të lehta për t’u prodhuar.

Ajaka tha se helmimet mund të jenë të lidhura me dy ceremoni tradicionale të zhvilluara në rajonin Odigbo, gjatë të cilave pjesëmarrësit konsumuan një pije alkoolike lokale. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur konfirmim laboratorik të këtyre dyshimeve.

Viktimat shfaqën simptoma të ndryshme, përfshirë dhimbje koke, dhimbje trupi, vështirësi në frymëmarrje, halucinacione dhe verbëri.

“Ndodh shumë shpejt. Sapo e pinë, varësisht nga sasia, veshkat ndalojnë së funksionuari, sytë verbohen, truri shkatërrohet”, tha Ajaka.

Policia ka arrestuar një të dyshuar, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e helmimit.