The Weeknd nuk ka ndërmend të largohet nga muzika. Këngëtari kanadez ka folur për të ardhmen e tij artistike, duke bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë të krijojë dhe të performojë për aq kohë sa të jetë e mundur.
Në një intervistë për GQ, artisti tha se periudha e distancimit nga muzika i dha një tjetër perspektivë për karrierën, duke e bërë të kuptonte se tërheqja nuk është ajo që dëshiron.
“Mora një shije se si është dalja në pension dhe nuk është për mua. Është një privilegj i vërtetë të bëj atë që bëj. Nuk ka asgjë tjetër si kjo punë. Do të vazhdoj ta bëj këtë për aq kohë sa të mundem. The Weeknd nuk do të zhduket”, u shpreh ai.
Deklarata vjen pasi më herët The Weeknd kishte folur për mundësinë e përfundimit të kapitullit të tij artistik dhe “zhdukjes” së personazhit që ka ndërtuar gjatë karrierës.
Megjithatë, ai kishte sqaruar se largimi nuk nënkuptonte domosdoshmërisht braktisjen e muzikës, por dëshirën për të përqendruar energjinë e tij në një projekt të vetëm, pas viteve të angazhimit me albume, videoklipe, projekte televizive, film dhe turne.
Aktualisht, këngëtari vijon karrierën si The Weeknd, ndërsa turneu i tij botëror “After Hours ’til Dawn Tour” është planifikuar të përfundojë në nëntor 2026.





