Prokuroria e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për gjashtë rojet e sigurisë të cilët dhunuan fizikisht shefin e Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli. Ata janë Marjo Katiraj 35 vjeç, Elgent Ndoj, 38 vjeç, Faik Hoxha 35 vjeç, Indrit Cullhaj 34 vjeç, Ardit Kasemi 31 vjeç dhe Besnik Sullollari, 29 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur Pjetër Doçi, 28 vjeç.

Ata akuzohen për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 237/3 dhe 25 të Kodit Penal. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 të 16 gushtit, në ambientet e jashtme të “Orange” club. Sipas njoftimit të policisë, rojet e sigurisë po konfliktoheshin fizikisht me disa persona të tjerë, kur Shefi i Krimeve ka qenë duke kaluar me automjet dhe ka vënë se disa  persona ishin duke u konfliktuar.

Pas kësaj ai ka ndërhyrë për të ndaluar konfliktin, por situata është përshkallëzuar dhe rojet e sigurisë kanë goditur Bakallin. Për këtë rast kanë ndërhyrë edhe efektivët e forcat “Shqiponja”, të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe kanë shoqëruar pranë ambienteve të komisariatit disa persona.