Kupa e Botës 2026 është gati të mbyllë siparin me një finale që premton të mbetet në kujtesën e futbollit botëror.
Për herë të parë në histori, Spanja dhe Argjentina do të përballen për trofeun më të rëndësishëm të futbollit, në një duel që vë përballë kampionët e Europës me kampionët në fuqi të botës. Vetë ky Botëror ka qenë unik në shumë aspekte.
Për herë të parë është organizuar nga tre vende pritëse dhe ka sjellë një nivel konkurrueshmërie si rrallëherë më parë.
Në skenën më të madhe kanë shkëlqyer emra si Lionel Messi, Kylian Mbappé dhe Harry Kane, ndërsa finalja pritet të nxjerrë në pah edhe talentin e ri spanjoll, Lamine Yamal.
Përballja mes Spanjës dhe Argjentinës ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej në kuadër të “Finalissima”, mes kampionëve të Europës dhe Amerikës së Jugut, por fati deshi që dy kombëtaret të takohen në skenën më prestigjioze të futbollit botëror.
Në prag të finales është e vështirë të përcaktohet një favorit. Argjentina mbështetet te përvoja, lideri i saj Lionel Messi dhe karakteri i një skuadre që di të fitojë ndeshjet e mëdha.
Nga ana tjetër, Spanja vjen me një grup të ri, energjik dhe të organizuar, ku forca kryesore mbetet loja kolektive.
Për Messin kjo do të jetë finalja e tretë e Kupës së Botës si titullar, një arritje historike që e vendos edhe një herë në elitën e futbollit.
Ndërkohë, trajneri Lionel Scaloni synon të fitojë Botërorin për herë të dytë radhazi, një sukses që do ta barazonte me italianin legjendar Vittorio Pozzo, trajnerin e vetëm që ka fituar dy Kupa Bote rresht. Spanja, e drejtuar nga Luis de la Fuente, mbërrin në finale falë forcës së grupit.
Pavarësisht se cili ekip do të ngrejë trofeun, kjo finale ka hyrë tashmë në histori. Për herë të parë Spanja dhe Argjentina do të luftojnë për kurorën e botës, në një përballje që shkruan një kapitull të ri në historinë e futbollit.





