Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministra të qeverisë së tij, si dhe drejtorin e Policisë Skënder Hita ishte sot në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit në Smart City.

Smart City është një projekt që e afron Shqipërinë me standardet më të avancuara evropiane dhe transformon rrënjësisht sigurinë publike në vend.

Uasim Beg, drejtor i Lartë për Zgjidhjet në Fushën e Qyteteve Inteligjente dhe Inteligjencën Artificiale shpjegoi përpara ministrave sesi shkollat për momentin kanë kamera, të cilat punojnë 24 orë në 24. “Këtu kemi 20 shkolla, që janë të pajisura me kamera dhe ne i mbajmë nën monitorim. Shohim çdo gjë që ndodh në ambiente publike”, deklaroi Beg.

Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita deklaroi se teknologjia po i vjen në ndihmë Policisë së Shtetit.

“Teknologjia po i vjen në ndihmë Policisë së Shtetit. Ne dëshirojmë që Smart City të jetë në dobi të qytetarëve. Smart City ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën sesi policia ofron siguri për qytetarët. Teknologjia bën që të krijohet një mjedis të mbrojtur për prindërit, nxënësit dhe mësuesit. Ne jemi të angazhuar tërësisht për këtë projekt.

Ky projekt na bën që të monitorojmë edhe kufirin, që të luftohet krimi. Ky projekt ka nisur të japë rezultatet e para konkrete, duke bërë që policia të ketë më shumë mundësi që të mbrojë jetën, pronën dhe të sigurojë rendin publik”, tha Hita.