Media greke Protothema i ka kushtuar një artikull rritjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi, ndërsa thekson se shumë prej tyre nga punëtor janë kthyer në pronarë kompanish ndërtimi. Në artikull thuhet se gjatë viteve 2005–2006 numri real i emigrantëve shqiptarë në Greqi ishte rreth 600 mijë, ndërsa numri i rezidentëve të regjistruar ligjërisht varionte nga 440 mijë deri në 500 mijë. Ata punonin në ndërtim në Greqi, duke përfshirë edhe punësimin sezonal dhe informal.

Emigrantët shqiptarë që mbërritën në Greqi gjatë viteve 1990 si punëtorë të pakualifikuar fituan gradualisht njohuri të gjera teknike dhe përvojë në industrinë greke të ndërtimit.

Me kalimin e kohës, ata u bënë mjeshtër të kualifikuar, më pas nënkontraktorë dhe sot shumë prej tyre janë pronarë të regjistruar ligjërisht të kompanive të ndërtimit që realizojnë projekte të mëdha dhe rinovime.

Roli i tyre në sektorin grek të ndërtimit është bërë aq i rëndësishëm, sa është rritur edhe bashkëpunimi dypalësh, përfshirë pjesëmarrjen e grupeve shqiptare të ndërtimit në panaire të mëdha të industrisë në Greqi, si edhe investimet e tyre në pasuri të paluajtshme.

Përveç sipërmarrësve, numri i përgjithshëm i punëtorëve shqiptarë aktivë në ndërtim në Greqi duke përfshirë mjeshtrit dhe kontraktorët vlerësohet sot në rreth 20 mijë deri në 25 mijë.