Një shtetas egjiptian është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, i dyshuar si organizator i një skeme të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas hetimeve, ai transportonte kundrejt pagesës shtetas të huaj, kryesisht nga Egjipti, duke u përpjekur të shmangte kontrollet policore dhe duke i lëvizur një nga një drejt veriut të vendit, me synim kalimin e paligjshëm të kufirit.
“Tiranë/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, operacioni policor i koduar “Organizatori”. Vihet në pranga një shtetas egjiptian, banues në Krujë, që dyshohet se organizonte në vendin tonë, transportimin e emigrantëve (kryesisht egjiptianë) që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë me destinacion një nga vendet e BE-së.
Për të shmangur kontrollet e Policisë ky shtetas i transportonte një e nga një shtetasit e huaj kryesisht egjiptianë.
34-vjeçari egjiptian u arrestua në flagrancë, në autostradë, në afërsi të Rinasit, duke transportuar drejt Shkodrës, 1 shtetas egjiptian.
Sekuestrohet celulari i të arrestuarit.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një shtetas të përfshirë në organizimin e transportimin kundrejt pagesave, të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufinjtë në kundërshtim me ligjin, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Organizatori”.
Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë mundësoi arrestimin në flagrancë, në autostradë, në afërsi të Rinasit, të autorit të dyshuar, shtetasit egjiptian, A. H., 34 vjeç, banues në Krujë, teksa transportonte drejt Shkodrës, një shtetas egjiptian.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i dhënies ndihmë, shtetasve të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, shkruan policia.





