Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Irani ndodhet në një “luftë në shkallë të plotë”, e cila sipas tij nuk kufizohet vetëm në përballjen ushtarake, por shtrihet edhe në ekonominë e vendit.

Në një takim të Këshillit Suprem Gjyqësor të Iranit, Pezeshkian tha se konflikti aktual përfshin edhe përpjekjet për të goditur stabilitetin ekonomik dhe social të vendit. “Realiteti është se sot Republika Islamike e Iranit është e angazhuar në një luftë në shkallë të plotë”, u shpreh presidenti iranian, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.

Sipas Pezeshkian, kjo përballje nuk është vetëm një luftë me raketa, pasi sipas tij kundërshtarët kanë arritur në përfundimin se nuk mund ta detyrojnë popullin iranian të dorëzohet përmes sulmeve ushtarake.

Ai theksoi se ekonomia dhe kushtet e jetesës së qytetarëve janë kthyer në arenën kryesore të përballjes, duke paralajmëruar për pasojat e presioneve ekonomike. “Është e papranueshme për ne të jetojmë në një shoqëri ku njerëzit përballen me probleme të jetesës, papunësi, varfëri dhe vështirësi”, tha Pezeshkian.

Presidenti iranian ka paralajmëruar se përkeqësimi i situatës ekonomike mund të ndikojë edhe në stabilitetin social dhe në mbështetjen e qytetarëve ndaj sistemit.

Sipas të dhënave zyrtare, ekonomia iraniane është përballur me vështirësi të mëdha, ndërsa papunësia është rritur dhe monedha vendase ka arritur nivele të ulëta rekord. Në muajin qershor, norma vjetore e inflacionit në Iran ishte raportuar në 88%.

Pezeshkian ka bërë më herët thirrje për ruajtjen e unitetit kombëtar, duke e cilësuar kohezionin social si një nga prioritetet kryesore të Iranit në situatën aktuale.