Presidenti libanez Joseph Aoun do të takohet këtë të martë me presidentin Donald Trump për të paraqitur një plan se si të çarmatoset Hezbollahu i mbështetur nga Irani dhe të sigurohet tërheqja e Izraelit nga vendi i tij.

Aoun, i cili shërbeu si komandant i ushtrisë së Libanit të mbështetur nga SHBA-të përpara se të zgjidhej president vitin e kaluar, është kreu i parë i shtetit libanez në gati 20 vjet që viziton Shtëpinë e Bardhë, ku do të takohet ballë për ballë me Trumpin për herë të parë.

Takimi vjen në një moment vendimtar për Libanin, trupat izraelite po pushtojnë një pjesë të jugut të vendit, qindra mijëra libanezë mbeten të zhvendosur dhe Hezbollahu ka hedhur poshtë me vendosmëri bisedimet e drejtpërdrejta të qeverisë me Izraelin.

Aoun mbërriti në Uashington gjatë fundjavës dhe u takua me sekretarin e shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, të dielën, duke i thënë atij se Izraeli duhet të fillojë tërheqjen nga Libani jugor në përputhje me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja më 26 qershor midis Libanit dhe Izraelit.

Kjo marrëveshje synon çarmatosjen e Hezbollahut, tërheqjen progresive të trupave izraelite dhe përgatitjen e terrenit për marrëdhënie paqësore midis dy vendeve.

Një zyrtar libanez tha se Aoun beson se vetëm Trump zotëron ndikimin e nevojshëm për të ushtruar presion mbi Izraelin që të tërheqë trupat e tij dhe të ndihmojë Libanin të rivendosë sovranitetin e tij.

Zyrtari tha se Aoun, përveç kërkesës ndaj presidentit amerikan për të ushtruar presion ndaj Izraelit që të tërhiqet, do t’i paraqesë gjithashtu Trumpit një propozim me shkrim se si të çmontohet arsenali masiv i Hezbollahut.

Aoun pritet të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë rreth orës 16:00 , sipas orës lokale.