Reshjet e dendura të shiut që goditën kryeqytetin turk, Ankara, kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit, duke bllokuar rrugë dhe paralizuar qarkullimin. Uji mbuloi akset kryesore, ndërsa drejtuesit e automjeteve u përballën me vështirësi të mëdha në lëvizje.
Pamjet e publikuara nga mediat e huaja tregojnë makina që kalojnë me vështirësi në rrugët e përmbytura, ndërsa në disa segmente niveli i ujit arriti deri në gjysmën e automjeteve. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes për shkak të motit të keq.
Sipas autoriteteve meteorologjike, reshjet intensive pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera lokale dhe ndërprerje të trafikut. Deri më tani nuk janë raportuar viktima, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për largimin e ujit dhe rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.





