Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka garantuar se shteti do të jetë i pranishëm për të rindërtuar dhe riparuar zonat e prekura nga zjarret e ditëve të fundit, veçanërisht në rajonet Gironde dhe Landes.
Në një postim në rrjetet sociale, Macron tha se autoritetet do të qëndrojnë në terren “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, ndërsa vlerësoi solidaritetin e qytetarëve përballë situatës së rëndë.
“Në këto orë kur flakët po e vënë në provë të rëndë vendin tonë, Franca po zbulon se çfarë është: një popull i bashkuar, që mbështet njëri-tjetrin”, shkroi Macron.
Zjarret kanë detyruar autoritetet franceze të evakuojnë rreth 200 mijë persona nga banesat dhe strukturat turistike në zonat e rrezikuara.
Ministri i Brendshëm Laurent Nunez bëri të ditur se fronti i zjarrit ndodhet rreth 30 kilometra larg Bordosë, ndërsa qeveria ka kërkuar kufizimin e lëvizjeve rrugore dhe hekurudhore në zonat e prekura. Aeroporti i Bordosë vijon të jetë i hapur, por transporti publik është prekur nga situata.
Mes personave të evakuuar janë edhe shumë banorë që u larguan me nxitim nga shtëpitë e tyre. Bernadette, 71 vjeçe, tregoi se u largua gjatë natës vetëm me dy nipërit e saj të vegjël.





