Mësuesit pritet të ‘rikthehen’ sërish në auditor. Universitetet do të hapin dyert për trajnimin e tyre dhe drejtuesve të shkollave.
Ministria e Arsimit ka hapur thirrjen për shprehje interesi dhe dorëzimin e ofertës ekonomike në lidhje me “Zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave mе SmartLab në teknologji, aftësi digjitale dhe inteligjencë artificiale” me fond limit mbi 5 milionë lekë. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar u ka parashtruar kërkesën 7 institucioneve të arsimit të lartë, Universitetit të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës dhe Vlorës, ku vlerësohet me rëndësi roli i tyre në ngritjen e kapaciteve në shkolla.
“Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të formimit fillestar të mësuesve, si diploma Bachelor dhe Master në arsim, të cilat u ofrojnë mësuesve aspirantë njohuritë, aftësitë dhe strategjitë e nevojshme pedagogjike për të qenë mësues efektivë përfshirë edhe përdorimin e teknologjisë në praktikat mësimore. 4 Institucionet e arsimit të lartë gjithashtu kanë qendrat e edukimit në vazhdim, të cilat ofrojnë trajnime të specializuara dhe të akredituara”, thotë ASCAP.
Projekti i mbështetur nga Banka Botërore ka financuar 216 laboratorë SMART në 200 shkolla të arsimit fillor, e më tej ka në fokus së pari të trajnojë 252 drejtorë të shkollave dhe specialistë të Zyrave vendore arsimore për sigurinë kibernetike në përdorimin e platformave online në klasat 1-3.
Nënkomponenti i dytë synon zbatimin e kurikulës së TIK-ut dhe vlerësimin e arritjeve të nxënësve të klasës 3-të përmes testeve dhe analizave të rezultateve, si dhe menaxhimin e sigurisë kibernetike në përdorimin e platformave online përmes trajnimit të 200 mësuesve të TIK-ut. Nën-komponenti i tretë fokusohet në zbatimin e aftësive digjitale në lëndët e tjera dhe në zhvillimin profesional të vazhduar për 800 mësuesit e arsimit fillor përmes trajnimeve të avancuara për sigurinë kibernetike në përdorimin e platformave online.
Mësuesit, veçanërisht ata të TIK-ut, duhet të pajisen me njohuri dhe aftësi për përdorimin etik, të sigurt dhe efektiv të mjeteve të Inteligjencës Artificiale në procesin mësimor. Kjo iniciativë do të mbështesë gjithashtu edhe pilotimin e zgjidhjeve digjitale për mësimin në distancë në shkolla me klasa kolektive, ku pjesa më e madhe e nxënësve janë nga komuniteti rom.





