Një zjarr ka përfshirë pasditen e së dielës një zonë me bimësi të ulët në jug të Pylaias, pranë Selanikut, duke aktivizuar menjëherë autoritetet lokale dhe shërbimet e emergjencës.

Flakët shpërthyen rreth orës 16:58 në një zonë ku ndodhen edhe banesa të shpërndara, duke rritur shqetësimin për përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara.

Për këtë arsye, autoritetet kaluan në gatishmëri të lartë dhe nisën masat për mbrojtjen e banorëve.

Përmes mesazheve paralajmëruese në telefon, qytetarët u njoftuan për rrezikun dhe u kërkua largimi i menjëhershëm nga zonat pranë vatrës së zjarrit.

Një njoftim i dytë u dërgua pak minuta më vonë, ku banorët dhe personat që ndodheshin pranë Shkollës së Muzikës në Pylaia u udhëzuan të evakuoheshin drejt qendrës së zonës.

Ekipet zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për të parandaluar afrimin e zjarrit pranë banesave.

Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaku i rënies së zjarrit mbetet ende i paqartë. Përhapja e flakëve po mbahet nën vëzhgim për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut që paraqet bimësia e thatë në zonë