Sot mbahet seanca e radhës për gjyqin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ku pritet që SPAK të shprehet për parashtrimet e tyre.
Meta ka parashtruar së pari kërkesën e radhës për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit, por GJKKO e ka rrëzuar menjëherë duke thënë se “vendimi për këtë është marrë më parë.”
Meta dhe Kryemadhi kanë pretenduar se provat janë marrë në mënyrë të paligjshme duke goditur vlefshmërinë e tyre.
Kryemadhi: E kemi lënë në faqen 46 të akuzës. Jam e detyruar të bëj një analizë shkencore, ku akuza bën interpretime të ndryshme. Nga komunikimi rezulton vetëm kjo fjali: “U firmos dhe u shpërnda tek të gjithë ministrat. Shatku thotë: “Urime.” Sipas akuzës, ky SMS që u shpërnda tek të gjithë ministrat quhet provë. Por kjo gjë nuk u miratua, atëherë akuza nuk duhet të ekzistojë. Ky debat nuk ishte mbi favorizimin e Unifi, siç pretendon akuza, por për kompetencat. Mesazhi i 11 prillit nuk përmban urdhër politik. Përkundrazi, akuza ka shkëputur vetëm një pjesë. Ka komplet nxjerrje nga konteksti.
Më 19 qershor, Shatku çon SMS: “Ke folur gjë me Ëngjëllin?”
Shatku bën një pyetje. A kishte përgjigje nga unë? Se në telefonin tim janë disa Ëngjëlla. A ka kryer hetim akuza se kush është Ëngjëlli dhe a ka folur Kryemadhi me të? Akuza pretendon se më vonë Ëngjëll Zeqo më nis raport.
Më tej, akuza i referohet komunikimeve mes Shatkut dhe Darien Faber.
Kryemadhi: Të gjithë thonë: “Të kishim shkopin magjik”, po faktikisht shkopin magjik e kishin ca të tjerë. Dokumentet mbështesin tezën se Ardian Shatku e ndiqte vetë komunikimin me investitorët.
Kryemadhi: Askund nuk rezulton një mesazh: “Bëje se do të jap para, bëje se të shkarkova, bëje se të vrava.”





