Një nga pasojat e krizës klimatike dhe rritjes së temperaturave të deteve dhe baseneve ujore është edhe lulëzimi dhe shumimi i algave, një fenomen që këtë verë me temperatura ekstreme po përjetohet edhe në Itali.
Qoftë në plazhe, liqene apo deltat e lumenjve, ngjyrat e kristalta të ujërave po zëvendësohen nga nuanca të gjelbra, të verdha dhe kafe.
Disa alga, si Ostreopsis ovata, e cila gjatë 20 viteve të fundit është bërë gjithnjë e më e pranishme në Itali, janë toksike dhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin. Të tjera mund të ndikojnë në ekuilibrat e ekosistemeve, të ulin nivelin e oksigjenit në mjediset lumore ose të prishin pushimet e turistëve.
Gjatë javëve të fundit, nga Pulia në Toskanë e deri në Lazio, janë shtuar sinjalizimet me “kod të kuq” dhe ndalimet e përkohshme të larjes në det për shkak të Ostreopsis ovata.
Kjo algë shumë e vogël, që gjendet në fundin e detit dhe është e vështirë të identifikohet, zhvillohet kryesisht në zona me pak lëvizje uji. Me dallgëzimet dhe trazirat e detit ajo ngrihet në sipërfaqe dhe mund të krijojë rrezik edhe përmes thithjes së grimcave në ajër.
Problemet shëndetësore
Ajo mund të shkaktojë probleme të ndryshme të frymëmarrjes, temperaturë, të përziera dhe konjuktivit. Kur përqendrimi i qelizave në kolonën ujore kalon kufijtë e lejuar, vendosen ndalime të përkohshme për larjen në det.
Pulia është një nga rajonet më të prekura. Edhe këtë vit janë regjistruar të paktën katër zona me “kod të kuq”, veçanërisht në det të hapur pranë Molfettës dhe Giovinazzos.
Siç kujton Nicola Ungaro nga Agjencia Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit e Pulias, “nuk është e ndaluar të qëndrosh në bregdet apo të lahesh, por duhet të tregosh më shumë kujdes në rrethana të veçanta”, për shembull kur deti është i trazuar.
Ndalime të përkohshme të larjes, të cilat më pas janë hequr, janë vendosur edhe në Lazio, në Santa Marinella, në Siçili pranë Palermos, në Marina di Pisa dhe në Xhenova, në zonën Quinto Bagnara.
Llojet e ndryshme të algave
Në Liguria është regjistruar edhe Pyramimonas. Ajo nuk është toksike, por shqetëson pushuesit pasi tenton t’i japë ujit një ngjyrë të gjelbër.
Në zonën lindore të rajonit janë zbuluar përqendrime të larta, me rreth 46 milionë qeliza për litër ujë. E njëjta situatë është vërejtur edhe në Gjirin e Lamezia Termes, në zonat San Giorgello dhe Colamaio.
Në raste të tjera, ngjyrosja e disa zonave detare në lindje të Xhenovës është shkaktuar nga dinoflagjelati Alexandrium cfr taylori, i cili zakonisht i bën ujërat të marrin ngjyrë të verdhë.
Ndërkohë, një studim ndërkombëtar ka konfirmuar praninë në gjirin e Triestes, në zonën Miramare, të Caulerpa cylindracea, një specie aliene invazive me origjinë nga Australia. E zbuluar për herë të parë në vitin 2022, kjo algë në formë tufash tashmë është “vendosur në mënyrë të qëndrueshme”.
Por problemi nuk kufizohet vetëm në dete. Edhe në lumenj dhe liqene algat po përhapen gjithnjë e më shumë.
Situata në lumenj
Një rast domethënës është lumi Po. Në zonën e Torinos, këtë verë, disa segmente të “Lumit të Madh” duken si një hapësirë gjigante me masë të gjelbër balte.
Sa më shumë rriten temperaturat dhe lëndët ushqyese në fundet e lumenjve, aq më shumë këto zona mbulohen si nga algat vendase, ashtu edhe nga specie të huaja, si Elodea nuttallii me origjinë aziatike ose Myriophyllum aquaticum.
Në zonën e Talamones, në Maremë, problemi lidhet me algën Cladophora vagabunda, e cila po ul nivelin e oksigjenit në ujëra. Ndërsa në provincën e Padovës, një grup pune i bashkive po përpiqet të përballojë algat që bllokojnë kanalet.
Situata nuk është më e mirë as në liqenet e mëdha. Në Alpago është vendosur ndalimi i larjes në liqenin Santa Croce, pasi noti konsiderohet i rrezikshëm për shkak të sasisë së madhe të algave.
Edhe liqeni Misurina po përballet me probleme për shkak të nivelit të ulët të ujit dhe algave që lëshojnë erëra të pakëndshme.
Gjendja është edhe më e rëndë në liqenin Iseo, ku deri tani janë hequr më shumë se 1 mijë tonë alga.





