Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur konfiskimin e 21 pasurive në favor të shtetit, duke pranuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në kuadër të ligjit antimafia.
Vendimi është dhënë këtë të mërkurë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pas shqyrtimit të kërkesës së SPAK-ut për konfiskimin e pasurive të Eridan Munoz Guerrero, Deljana Nebiu, Sokol Çamer, Julian Veliu, Lenkos Nebiu dhe disa personave të tretë.
Sipas vendimit të GJKKO-së, në favor të shtetit kalojnë një sërë pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme, mes tyre apartamente, njësi shërbimi, banesa me truall, automjete, rimorkio dhe llogari bankare.
Në listën e pasurive të konfiskuara përfshihen:
- disa apartamente në pronësi të Deljana Nebiut, të blera në Vlorë dhe në qytete të tjera;
- njësi shërbimi dhe pasuri të tjera të regjistruara në emër të Deljana Nebiut dhe Eridan Nebiut;
- tre banesa me truall në pronësi të Eridan Nebiut, Sokol Çamerit dhe Julian Veliut;
- apartamente, garazh dhe depo të përfituara nga Sokol Çamer;
- një automjet tip Audi A8;
- një rimorkio e importuar nga Italia;
- disa llogari bankare me mijëra euro dhe miliona lekë, të sekuestruara më herët në kuadër të letërporosive të autoriteteve belge.
Gjykata vendosi gjithashtu revokimin e masës së sekuestros për pesë pasuri të tjera, mes tyre dy apartamente, dy automjete dhe një apartament të blerë në vitin 2022.
Sipas vendimit, konfiskimi hyn në fuqi menjëherë pas shpalljes, ndërsa administrimi i pasurive do të kryhet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.
Palët kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.





