Këshilli i Ministrave miratoi sot disa vendime të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ndër të cilat “Për krijimin e Institutit Kombëtar Onkologjik, si strukturë shëndetësore universitare dhe kërkimore-shkencore” dhe vendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 185, datë 2.4.2014, të Këshillit të Ministrave, ‘Për përcaktimin e mënyrës së realizimit të kontrollit mjekësor bazë për shtetasit e moshës 35-70 vjeç’, i ndryshuar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave theksoi se krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë përbën një hap historik në transformimin e kujdesit për pacientët me sëmundje tumorale, duke krijuar një strukturë të re të organizuar sipas standardeve evropiane dhe modeleve më të avancuara ndërkombëtare, si ai i Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano, ndërsa sqaroi funksionimin e këtij Instituti.

“Instituti do të ketë tre fusha kryesore veprimi: kujdesin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Për herë të parë në Shqipëri do të krijohet një strukturë e dedikuar kërkimore-shkencore në fushën e onkologjisë, e cila do të kontribuojë në zhvillimin e studimeve, përmirësimin e trajtimeve dhe avancimin e praktikave bashkëkohore mjekësore”, sqaroi ministrja Sala.

Ministrja Sala tha se përfshirja e Institutit në Rrjetin Evropian të Kancerit do të krijojë mundësi të reja për bashkëpunime shkencore, zhvillimin e studimeve klinike, aksesin në barna inovative për pacientët onkologjikë dhe aplikimin në programe e fonde evropiane në fushën e kancerit.

Në nivel kombëtar, Instituti do të jetë qendra e koordinimit të Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale, duke integruar në një sistem të vetëm shërbimet universitare, strukturat rajonale dhe ato vendore të kujdesit onkologjik. Ky rrjet do të përfshijë 8 pikat aktuale të ofrimit të shërbimeve onkologjike, me zgjerim të mëtejshëm në rajone të tjera.

Gjithashtu, ministrja Sala tha se një tjetër funksion i rëndësishëm i Institutit do të jetë formimi i specialistëve të rinj dhe edukimi i vazhdueshëm profesional i personelit shëndetësor, duke forcuar kapacitetet njerëzore në fushën e onkologjisë.

Pas miratimit të bazës ligjore, do të nisë puna për ngritjen e strukturave të Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe funksionimin e tij sipas objektivave të përcaktuara.

Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu zgjerimin e programit të Check-Up falas, duke hequr kufizimin e sipërm të moshës për përfituesit.

Ministrja Sala bëri me dije se nga muaji shtator, çdo qytetar mbi 35 vjeç do të mund të kryejë analizat e Check-Up falas. Me këtë ndryshim, përfitues potencialë janë rreth 1.5 milionë banorë mbi këtë moshë, ndërsa përfituesit kryesorë do të jenë të moshuarit mbi 70 vjeç, të cilët tashmë do të kenë mundësi të përfshihen në këtë program parandalues.

Protokolli i Check-Up nuk do të ndryshojë dhe do të vijojë të ofrohet sipas të njëjtave standarde të aplikuara deri më tani.

Pas përfundimit të kontratave respektive, në muajt shtator dhe nëntor, shërbimet e Check-Up dhe dializës do të kryhen nga shteti, duke garantuar vijimësinë e këtyre shërbimeve për qytetarët.