Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që autorizon shqyrtimin dhe votimin në bllok të 74 emërimeve të administratës amerikane në Kalendarin Ekzekutiv, përfshirë kandidaturën e Eric Wendt për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri.

Rezoluta u miratua të enjten, 30 korrik, me 50 vota pro dhe 47 kundër, sipas vijave partiake. Tre senatorë – Marsha Blackburn, Mitch McConnell dhe Thom Tillis, abstenuan nga votimi.

Lista e emërimeve të përfshira në rezolutë përfshin edhe Eric Wendt, i nominuar për pozicionin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë, miratimi i Rezolutës nuk përbën konfirmimin e tij si ambasador.

Rezoluta është e natyrës procedurale dhe i jep Senatit mundësinë të shqyrtojë dhe votojë për këto emërime së bashku, në vend që secili prej tyre të trajtohet veçmas.

Nëse kandidatura e tij miratohet, Wendt do të bëhet ambasadori i parë i SHBA-ve në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023. Që atëherë, ambasada është drejtuar nga të ngarkuarit me punë, ndërsa emërimet e mëvonshme nuk arritën të finalizoheshin.

Mungesa e një ambasadori me kohë të plotë për një periudhë kaq të gjatë është parë nga shumë vëzhgues si një periudhë në të cilën ndikimi i drejtpërdrejtë diplomatik amerikan në politikën shqiptare ka qenë më i kufizuar. Në këtë kontekst, emërimi i një figure me profil të lartë ushtarak dhe përvojë në strukturat e NATO-s shihet si një sinjal se Washingtoni synon të rrisë angazhimin e tij në Shqipëri.