Gazetari Elton Qyno ka denoncuar në polici se gjatë së enjtes është sulmuar nga Rosela Nallbati, bashkëshortja e Florenc Çapjas, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Denoncimi është bërë në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në Tiranë. Qyno ka deklaruar se ka qenë duke kaluar pranë një spitali privat, kur një grua, fillimisht e panjohur për të, e ka goditur me telefonin celular që mbante në dorë.
Pas veprimeve hetimore, policia identifikoi si të dyshuar Rosela Nallbatin dhe e shpalli në kërkim për veprën penale “goditja për shkak të detyrës”.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se “specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. Q., me profesion gazetar, shpallën në kërkim dhe vijojnë punën për kapjen e shtetases R. N., 33 vjeçe, banuese në Tiranë”.





