Një 12-vjeçar është konstatuar duke drejtuar një mjet lundrues tip Jet Ski në ujërat përballë plazhit të Dhërmiut, duke sjellë ndërhyrjen e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.
Gjatë kontrolleve për garantimin e sigurisë në hapësirat detare, efektivët ndaluan mjetin lundrues dhe kryen verifikimet përkatëse. Nga kontrolli rezultoi se drejtuesi ishte i mitur dhe mjeti nuk kishte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.
Për shkeljet e konstatuara, pronari i Jet Ski-t, shtetasi me inicialet M. Xh., u gjobit me 10 mijë lekë të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua nga autoritetet.
Policia Kufitare u ka bërë apel pronarëve dhe subjekteve që japin me qira mjete lundruese të mos ua dorëzojnë ato personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtim, veçanërisht të miturve, për shkak të rrezikut që paraqesin për jetën e tyre dhe pushuesit e tjerë.
Kontrollet përgjatë vijës bregdetare vijojnë për respektimin e rregullave të lundrimit dhe parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë sigurinë në det.





