Mançester Siti ka vendosur një çmim prej 75 milionë eurosh për mesfushorin spanjoll Rodri, ndërsa bisedimet me Real Madridin intensifikohen. Sipas gazetarit të “Sky Sport”, Patrik Berger, kjo është siutata aktuale, edhe pse fituesi 30-vjeçar i Kupës së Botës mbetet nën kontratë në “Etihad” deri në qershor 2027.
Deri tani ka refuzuar ofertat e Sitit për zgjatjen e kontratës në favor të një kalimi në Madrid. Ndërsa Reali, aktualisht e kufizon ofertën e vet fillestare në 50 milionë euro, presidenti Florentino Perez është i përgatitur të fusë bonuse shtesë – të bazuara në performance – për të gjetur marrëveshje.Të gjitha palët mbeten optimiste se kushtet financiare mund të zgjidhen, gjë që mund ta bëjë Rodrin të nënshkruajë një kontratë me “Los Blancos” deri në qershor 2030.
Ndërkaq, Josko Gvardiol beson se trajneri Mareska është ideali, për të nisur epokën e re të Sitit, pas largimit të Guardiolës. Tekniku italian debutoi në stol në humbjen me penallti ndaj Interit, në një miqësore të zhvilluar në Hong Kong. “Mareska ka cilësi dhe ide të reja.
Duhet të shohim se çfarë stili dhe taktike do të përdorim, por mendoj se është zgjedhja e duhur. Sigurisht, do t’i duhet kohë, sepse ndryshimi i trajnerit nuk është i lehtë”, deklaroi Gvardiol. Mbrojtësi kroat foli edhe për largimin e Guardiolës, duke pranuar se lojtarët e kishin kuptuar se po vinte fundi. “Pas 10 vjetësh ishte momenti që të pushonte. Mund ta ndjenim se largimi po vinte”, shtoi Gvardiol, që veçoi Ruben Diasin si një nga udhëheqësit kryesorë të skuadrës pas largimeve të Bernardo Silvës dhe Xhon Stones.





