Është ndarë nga jeta në moshën 37-vjeçare Ariola Habilaj, shqiptarja që prej vitesh jetonte në Sydney të Australisë dhe që zhvilloi një betejë të gjatë me kancerin.
Ariola ishte diagnostikuar me kancer ovarian në stad të avancuar, i cili, fatkeqësisht, ishte përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit. Pavarësisht trajtimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar sëmundjen, ajo nuk arriti ta fitonte betejën.
Në momentet më të vështira, pranë saj qëndroi edhe nëna, e cila udhëtoi drejt Australisë dhe u bëri thirrje shqiptarëve për mbështetje financiare, me shpresën se vajza e saj do të mund ta mposhtte sëmundjen. Megjithatë, gjendja e Ariolës u përkeqësua dhe ajo u nda nga jeta.
Trupi i pajetë i 37-vjeçares është riatdhesuar nga Australia në Vlorë, ku familjarët do t’i japin lamtumirën e fundit.
Ceremonia mortore zhvillohet sot, në praninë e familjarëve, të afërmve dhe miqve, të cilët do ta përcjellin Ariola Habilajn në banesën e fundit.





