Zona turistike e Halkidiki në Greqi është përfshirë nga një zjarr masiv duke iu afruar zonave të banuara në bregdet. Autoritetet greke kanë njoftuar përmes sistemit 112 evakuimin urgjent të të gjithë banorëve e turistëve që ndodhen në zonën e Sivirit.
Sipas njoftimit të Mbrojtjes Civile, personat që ndodhen në Siviri janë udhëzuar të lëvizin drejt Mola Kalivës dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një zonë me pyje me pisha dhe bimësi të dendur, të ndihmuara nga erërat e forta. Largimi i banorëve nga zona e rrezikut është mundësuar dhe nëpërmjet detit nga operacionet e shpëtimit, ndërsa rrugët janë të ngarkuara me trafik për shkak të devijimeve nga zjarri.
Autoritetet lokale e kanë përshkruar situatën si shumë të vështirë. Fronti i zjarrit është përhapur në të dyja anët e rrugës që lidh Sivirin me zonën e Kasandrës. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 52 zjarrfikës me 12 mjete, ndërsa nga ajri po ndërhyjnë tre avionë dhe një helikopter.
Greqia është një nga vendet më të prekura nga zjarret si pasojë e valës së të nxehtit. Sipas raportimeve, të paktën pesë zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit në përpjekje për të shuar flakët.





