Një mjet lundrues i llojit Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në Ksamil, pasi hyri brenda perimetrit të sigurisë ku po laheshin pushuesit. Pronari i mjetit u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj për cenim të sigurisë së qytetarëve.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.





