Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në qeveri, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha.
“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.
Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja do të kontribuojë për çështjen e presidentit, duke thënë se kanë kushte për kreun e ri të shtetit.
Sipas tij, presidenti i ri duhet ta mbrojë Republikën dhe kushtetueshmërinë.
“Nga ky moment, LVV-ja mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkërisht ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, tha ai, duke e akuzuar LVV-në e Albin Kurtit se nuk po pranon “kompromis minimal”.
Ai tha se LDK-ja do të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit sepse nëse s’marrin pjesë në votim, vendi shkon në zgjedhje për shkak se me 61 votat e LVV-së presidenti “s’mund të zgjidhet”.
“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, tha ai, duke shtuar se propozimet partiake do të refuzohen.
“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai, duke shtuar se emri i presidentit të ri duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive.
LDK-ja ishte partia e vetme që pranoi të negocionte me LVV-në, fituesen e zgjedhjeve të qershorit.
Abdixhiku tha se Kurti i ofroi atij postin e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por oferta nuk është pranuar, duke shtuar se LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në ekzekutiv.





