Rajoni i Moskës është goditur gjatë natës nga një sulm i madh me dronë ukrainas, të cilin autoritetet ruse e kanë cilësuar si një nga sulmet më të mëdha të regjistruara ndaj zonës.
Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, tha se një 83-vjeçar humbi jetën dhe disa persona të tjerë u plagosën në qytetin Podolsk.
Sipas tij, një nga objektivat e goditura ishte një magazinë e kompanisë Wildberries, një prej platformave më të mëdha të shitjeve online në Rusi. Dëme u raportuan edhe në disa zona të tjera, përfshirë një magazinë në qytetin Domodedovo, pranë një prej aeroporteve kryesore të Moskës.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë natës forcat e saj kundërajrore rrëzuan gjithsej 822 dronë ukrainas në zona të ndryshme të vendit. Pamjet pas sulmit treguan një re të madhe tymi mbi magazinën e Wildberries në Koledino, rreth 45 kilometra në jug të Moskës.
Ukraina ka goditur edhe më parë objektet e Wildberries gjatë javëve të fundit. Kievi e akuzon kompaninë se përmes aktiviteteve të saj transportohen edhe mallra të lidhura me ushtrinë ruse.
Sulmet ndaj infrastrukturës ekonomike ruse janë pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për të dëmtuar bazën logjistike dhe ekonomike që, sipas Kievit, mbështet fushatën ushtarake të Moskës.





