Republika Demokratike e Kongos po përballet me një përshkallëzim të rrezikshëm të epidemisë së Ebolës, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se virusi po përparon më shpejt se përpjekjet për ta frenuar. Shefi i çështjeve humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, deklaroi se “Ebola po fiton” dhe bëri thirrje për një reagim më të shpejtë, më të gjerë dhe të koordinuar.
Në kuadër të përpjekjeve për të përforcuar përgjigjen humanitare, Fletcher njoftoi për një fond shtesë prej 30.5 milionë dollarësh nga Fondi Qendror i Reagimit ndaj Emergjencave të OKB-së (CERF). Ky financim i ri i bashkohet 24 milionë dollarëve të alokuara më parë për Republikën Demokratike të Kongos dhe vendet fqinje.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare (OCHA) ka dërguar ndërkohë edhe 20 punonjës të tjerë në zonat e prekura, por drejtuesit e saj paralajmërojnë se mund të nevojiten më shumë ekipe dhe specialistë për të frenuar përhapjen e virusit.
Sipas të dhënave të paraqitura në deklaratën e OKB-së, shpërthimi i Ebolës në DRC, i shpallur nga autoritetet kombëtare më 15 maj, ka shkaktuar 2,184 viktima nga më shumë se 4,660 raste të raportuara. Gjashtë nga 26 provincat e vendit kanë regjistruar raste, ndërsa edhe Uganda ka pasur raste të infektimit.
Provinca Ituri mbetet epiqendra kryesore e epidemisë. Më shumë se 3,400 raste janë regjistruar atje, duke e bërë situatën veçanërisht të rëndë në një rajon që po përballet njëkohësisht edhe me pasiguri ushqimore dhe konflikte të armatosura.
Në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, rreth 2.6 milionë njerëz vuajnë nga kequshqyerja e rëndë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre ndodhen në provincën Ituri. Përveç epidemisë, popullsia e North Kivu dhe South Kivu po përballet edhe me konfliktin e vazhdueshëm mes ushtrisë kongoleze dhe milicisë M23, e cila mbështetet nga Ruanda.
Programi Botëror i Ushqimit (UFP) ka zgjeruar ndihmën për personat e prekur. Që nga fundi i majit, organizata ka shpërndarë më shumë se 260,000 vakte të ngrohta në qendrat e trajtimit dhe izolimit në Ituri, North Kivu dhe South Kivu. Duke nisur nga dita e nesërme, programi i vakteve të ngrohta do të shtrihet edhe në qendra të tjera të trajtimit të Ebolës.
OKB-ja paralajmëron se nevojat humanitare të popullsisë janë shumë më të mëdha se kapacitetet aktuale të reagimit ndaj epidemisë. Ndihma për sigurinë ushqimore është financuar vetëm në masën 25 për qind, duke krijuar një boshllëk të madh në mbështetjen për njerëzit që kanë nevojë urgjente për ushqim.
Pas një takimi të Komitetit të Përhershëm Ndërinstitucional të OKB-së, organizatat më të mëdha humanitare ranë dakord të rrisin përpjekjet kundër Ebolës. Sipas Fletcher, përgjigjja duhet të përfshijë dyfishimin e ekipeve që kryejnë varrime të sigurta dhe dinjitoze, trefishimin e kapaciteteve të trajtimit, përmirësimin e gjurmimit të kontakteve dhe dërgimin e më shumë drejtuesve me përvojë në terren.





