Ngërçi politik që po kalon Kosova po prek edhe biznesin vendas.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini shprehet se situata ku është futur vendi ka krijuar paqartësi të mëdha ekonomike dhe po dëmton raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Kemi humbur qindra miliona euro nga Bashkimi Evropian, jemi të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më herët gjithashtu nga BE-ja, për shkak të papjekurisë politike”, tha kryetari i Aleancës kosovare të bizneseve, Agim Shahini.

Shahini paralajmëron se vazhdimi i ngërçit politik do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në investimet e huaja.

“Nëse vazhdon edhe më tutje ky ngërç politik, Kosova do të dërgojë mesazh negativ se akteret politikë të tanishëm nuk dinë të udhëheqin shtetin. Do të dërgojnë mesazh të frikësimit për të bërë biznes, sepse në një vend ku politika është mbi ekonominë dhe ku politika dikton në ekonomi, e kemi parë në disa raste, atëherë investitorët e huaj nuk vijnë për të investuar në Kosovë”, tha Shahini.

Për analistët politikë, mos-ngritja e institucioneve të reja po dëmton edhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare

“Tashmë Kosova është shndërruar në një shtet jo-serioz, në një aleat të cilit nuk mund t’i besohet për projekte të mëdha, të rëndësishme dhe afatgjatë, sepse ky jo-stabilitet është bërë, kronik edhe, është e qartë që spektri politik kosovar, veçanërisht, fituesit e zgjedhjeve, nuk kanë ndonjë plan për sjellje normale”, tha analisti politik, Artan Muhaxhiri.

Javën e ardhshme pritet një takim mes partive politike i thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentit Albulena Haxhiu, por PDK dhe AAK e kanë refuzuar ftesën.

LDK ka propozuar zgjedhjen e një presidenti konsensual jopartiak, por Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, edhe pse e ka pranuar si ide nuk ka hedhur asnjë hap konkret për arritjen e një marrëveshjeje.