20-vjeçari francez, i cili u vra mëngjesin e kësaj të marte nga truproja i ‘Principotes’ kishte ardhur për një festë që organizohej në këtë “beach bar” me një Dj të njohur francez. Miguel Mendes ishte në shoqërinë e disa miqve francez, kur është përfshirë në një konflikt me Sokrat Vatën nga Hasi.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, ku i riu francez, Miguel Mendes, është gjetur pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, pranë ‘Principotes’. 20-vjeçari është përfshirë në një konflikt për një vajzë dhe më pas është goditur me thikë nga Sokrat Vata.

Në konflikt mësohet se kanë qenë edhe disa persona të përfshirë, ku e kanë nxjerr nga lokali deri tek porta dhe më pas 29-vjeçari e ka goditur me thikë. Pas ngjarjes autori është larguar nga vendi, por arratia e tij nuk zgjati shumë.

Autori 29-vjeçar nuk është një emër i panjohur pasi ka një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe. Ai është arrestuar dhe dënuar në Angli për trafik droge me pesë vite burg.