Shtetet e Bashkuara regjistruan në vitin 2025 rënien më të madhe vjetore të kriminalitetit që nga fillimi i vlerësimeve kombëtare nga FBI, në vitin 1936.

Sipas të dhënave të reja të publikuara nga agjencia federale, krimi i dhunshëm ra me 9.7% në një vit, duke konfirmuar se tendenca e rënies së nisur pas kulmit të periudhës së pandemisë jo vetëm që ka vijuar, por është përshpejtuar ndjeshëm.

Rënia është veçanërisht e dukshme te vrasjet. Vrasjet pa dashje ranë me 18.1%, ndërsa shkalla e vrasjeve u ul me 18.5%, duke arritur në 4.1 për 100 mijë banorë.

Sipas FBI-së, ky nivel është i krahasueshëm me atë të viteve 1955 dhe 1956 dhe përbën nivelin më të ulët të regjistruar që kur agjencia filloi të publikonte vlerësime kombëtare.

Rënia e krimit nuk u kufizua vetëm te vrasjet. Grabitjet ranë me 18.5%, përdhunimet me 7.6%, ndërsa sulmet e rënduara me 7.2%.

Edhe krimet ndaj pronës shënuan një rënie të konsiderueshme, me 12.4% në total.

Vjedhjet e automjeteve ranë me 22.7%, vjedhjet me thyerje me 15.8%, ndërsa vjedhjet me 9.8%.

Një nga elementët më të rëndësishëm të raportit është shtrirja gjeografike e rënies së krimit. Sipas FBI-së, ulja u regjistrua në të gjitha kategoritë e popullsisë të analizuara, nga qendrat e mëdha urbane te qytetet më të vogla, periferitë dhe qarqet rurale.

Rënia më e madhe e krimit të dhunshëm u regjistrua në qytetet me një popullsi nga 500 mijë deri në 999,999 banorë, ku krimi i dhunshëm ra me 15.3%.

Në këto qytete, vrasjet ranë me 27.4%, grabitjet me 22.8% dhe sulmet e rënduara me 12.6%.

Raporti përbën vlerësimin përfundimtar të FBI-së për kriminalitetin në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2025.

Të dhënat u dorëzuan nga 17,075 agjenci të zbatimit të ligjit, të cilat mbulojnë më shumë se 96% të popullsisë amerikane. Gjithashtu, të gjitha departamentet e policisë në qytetet me më shumë se një milion banorë raportuan të dhëna për të gjithë 12 muajt e vitit.

Shifrat pritet të nxisin edhe debatin politik në SHBA mbi faktorët që kanë ndikuar në këtë rënie të ndjeshme.

Shtrirja dhe kohëzgjatja e tendencës e bëjnë të vështirë që rënia t’i atribuohet vetëm një presidenti, një strategjie policore apo një politike lokale.

Rënia e vrasjeve nisi në vitin 2022, gjatë administratës së Joe Biden, dhe vazhdoi në vitet pasuese.

Presidenti Donald Trump, i cili e ka vendosur krimin ndër çështjet kryesore të axhendës së tij pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ia ka atribuar një pjesë të kësaj rënieje politikave të administratës së tij dhe ndërhyrjeve federale në qytete si Uashingtoni dhe Memfisi.