Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka bërë një postim mëngjesin e kësaj të mërkure lidhur me vrasjen e turistit 20-vjeçar që ndodhi në Ksamil, ku krahas fotos së qytetit të Sarandës ka një mesazh.
“Balanca mes të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor vlen për qytetarët dhe mbron shoqërinë. Ata që sfidojnë ligjin dhe linçojnë shërbëtorët e tij, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit”, shkruan ai.
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas një feste, një 29-vjeçar nga Hasi e goditi disa herë me thikë turistin portugez Luis Miguel Varela Mendes. Sherri nisi fillimisht në ambientet e lokalit “Principote” e më pas u zhvendos në pjesën e jashtme të lokalit “Paradise”. Pasi e la të vdekur në vend, ai u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, në tentativë për t’u arratisur.
Në kryerjen e këtij krimi të rëndë, pati edhe bashkëpunëtorë, detaj që e ka konfirmuar Policia gjatë pasdites të së martës. Ai më kryesori dyshohet se është shtetasi me inicialet D.H., bashkëmoshatar me autorin, i cili aktualisht po kërkohet nga blutë.
Siç mësohet deri më tani, konflikti ka nisur për motive të dobëta që lidhen me një vajzë.





