Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, së bashku me Policinë e Kosovës, kanë ekspozuar në Mitrovicë një sasi të madhe armatimi të konfiskuar gjatë disa aksioneve të zhvilluara në fshatrat serbe në veri të Kosovës.
Duke iu drejtuar mediave, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se arsenali i armëve është gjetur në afërsi të fshatit Kalludër e Vogël, ku së fundmi u zbulua një varrezë e dyshuar masive.
“Serbia ka investuar që veriu i Kosovës të mos stabilizohet kurrë dhe të mbetet një zonë krimi dhe rezistente ndaj institucioneve të Kosovës. Është shqetësuese heshtja e Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, pas gjetjes së varrezave masive. Në fakt, kjo heshtje është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtyre planeve”, tha Sveçla.
Ai theksoi se gjetja e arsenalit dhe arrestimet e kryera tregojnë, sipas tij, se institucionet e Kosovës do të vijojnë të veprojnë ndaj çdo rreziku që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues.
Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri publike shifrat e aksionit, duke deklaruar se janë konfiskuar 72 armë, mes tyre 11 armë të tipit AK-47, si dhe 4,831 copë municione të ndryshme.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar gjithashtu karikatorë, granata dore, pajisje ushtarake, uniforma të Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë, si dhe 96,100 euro dhe 5,000 franga zvicerane.
Autoritetet e Kosovës vijojnë hetimet lidhur me origjinën e arsenalit dhe personat që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitetet e paligjshme.





