Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka zhvilluar këtë të enjte një vizitë zyrtare në Pustec, ku është pritur nga kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski.

Gjatë vizitës, Mickoski foli për forcimin e lidhjeve me komunitetin maqedonas në Prespën e Vogël dhe për mbështetjen që qeveria e Maqedonisë së Veriut synon t’u japë projekteve në këtë zonë.

“Dëshirojmë që një pjesë të këtyre projekteve, brenda mundësive tona, ta mbështesim. Kryetarët e bashkive, së bashku me përfaqësuesit e maqedonasve në Shqipëri, të cilët do të ftohen në kabinetin tim, në Qeverinë e Maqedonisë, që të hartojmë një plan se si ne, si shtet dhe si qeveri, mund ta mbështesim këtë”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës maqedonase, veçanërisht nga brezi i ri.