Greqia është vendi i dytë në Europë, pas Italisë, për përhapjen e virusit të Nilit Perëndimor, ndërsa numri i të infektuarve po rritet me shpejtësi. Sipas autoriteteve deri dje janë regjistruar 157 raste dhe 13 viktima.
Vetëm gjatë javës së fundit u konfirmuan 47 raste të reja dhe 4 viktima. Vatra kryesore këtë verë është Atika, veçanërisht pjesa lindore e saj, ku autoritetet kanë intensifikuar spërkatjet kundër mushkonjave.
Raste të shumta janë regjistruar në zonat e Markopulos dhe Spatës, ndërsa infeksione të reja janë konfirmuar edhe në bashki të tjera të Atikës, por edhe në veri të Greqisë.
Sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik, 42 pacientë ndodhen aktualisht të shtruar në spitale, 23 prej tyre në terapi intensive ose në njësitë e kujdesit të shtuar.
Virusi transmetohet te njerëzit nga mushkonjat, të cilat infektohen pasi pickojnë shpendë që janë bartës të tij. Epidemiologët thonë se shumica e të infektuarve nuk do ta kuptojnë se e kanë kaluar virusin. Por afërsisht një në 150 persona mund të zhvillojë komplikacione të rënda neurologjike.
Temperatura e lartë, dhimbja e fortë e kokës, përgjumja, konvulsionet apo paraliza kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të zbatojnë këshillat e mjekëve , ndërsa ekspertët paralajmërojnë se sezoni i virusit ende nuk ka përfunduar.





