Është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës Pjerin Bitani, i dyshuari për plagosjen e fqinjit të tij Vladimir Bruçit. Sipas burimeve, Bitani dhe Bruçi, njiheshin prej vitesh dhe kishin marrëdhënie miqësore ndërsa ngjarja ndodhi këtë të enjte rreth orës 14:30.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se para të shtënave ata kanë pasur një debat, i cili dyshohet të ketë nisur për çështje që lidhen me kamerat e sigurisë.

Bitani ka një lokal, ndërsa Vladimir Bruçi i ka kërkuar që të heqë kamerat e sigurisë, pasi ka shtëpinë aty dhe kalon çdo ditë në atë zonë. Autori i dyshuar nuk ka pranuar dhe, pavarësisht miqësisë mes tyre, konflikti më pas ka agravuar, duke përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit dhe plagosjen e Bruçit.

I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, pas dorëzimit të autorit të dyshuar, Policia po vijon veprimet procedurale dhe hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të sqaruar motivin e saktë që çoi në konfliktin mes dy shtetasve.

Njoftimi i Policisë

““Lidhur me ngjarjen e ndodhur rreth orës 14:30 të ditës së sotme, në lagjen “Partizani”, ku dyshohet se shtetasi P. B., 70 vjeç, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri fqinjin e tij, shtetasin V. B., 64 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën, ju njoftojmë se, si rezultat i kontrolleve të shumta të kryera nga shërbimet e Policisë, pamundësisë për t’u larguar dhe për të qëndruar i fshehur, si dhe negociatave të vazhdueshme mes familjarëve të autorit të dyshuar dhe Policisë, shtetasi P. B. u vetëdorëzua te strukturat e Policisë, në lagjen “Rus”, ku qëndronte i fshehur prej disa orësh. 70-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.