Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar për situatën turistike në qarkun e Lezhës, duke ngritur shqetësimin për problematikat që, sipas tij, po shoqërojnë sezonin veror, duke u ndalur te aksidentin i sotëm tragjik në Rrjoll.

“Siguria në plazhe nuk mund të jetë thjesht një tabelë apo një deklaratë. Kërkohen roje bregdetare të pranishëm, kullat e vrojtimit funksionale, mjete shpëtimi, sinjalistikë, monitorim dhe ndërhyrje të shpejtë në çdo rast emergjence.

Çdo jetë e humbur në det është një tragjedi për familjen, por edhe një kambanë alarmi për institucionet.
Problemet nuk mbarojnë këtu.”, shkruan ai në një reagim në rrjetet sociale.

Gjekmarkaj thotë se, pavarësisht pretendimeve për rritje të fluksit të turistëve, bizneset në Shëngjin raportojnë një numër më të ulët pushuesish krahasuar me një vit më parë. Ai rendit ndër problematikat kryesore ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesën e ujit të pijshëm në Shëngjin, Tale, Patok, Ishull-Lezhë, Balldren, Zejmen, Zadrimë dhe zona të tjera të qarkut.

Një pjesë të reagimit të tij Gjekmarkaj ia kushton sigurisë në plazhe, pas rasteve tragjike të mbytjeve në Shëngjin dhe Tale. Sipas tij, siguria e pushuesve kërkon roje bregdetare, kulla vrojtimi funksionale, mjete shpëtimi, sinjalistikë dhe ndërhyrje të shpejtë në rast emergjencash. Deputeti ngre gjithashtu shqetësime për trafikun në aksin Milot-Lezhë-Shëngjin dhe për problematikat në shërbimin shëndetësor, duke pretenduar se raste të turistëve të trajtuar në spitale kanë nxjerrë në pah mungesa të medikamenteve dhe shërbimeve bazë.

Gjekmarkaj kritikon qeverinë për deklaratat mbi “flukset rekord” turistike, duke argumentuar se turizmi nuk mund të mbështetet vetëm te statistikat, por kërkon infrastrukturë, energji, ujë, rrugë, shëndetësi dhe siguri.

“Turizmi ndërtohet me infrastrukturë, energji, ujë, rrugë, shëndetësi, siguri dhe mbi të gjitha me garantimin e jetës së pushuesve”, shprehet ai, duke theksuar se Lezha ka potencial të madh turistik, por ky potencial, sipas tij, mbetet i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së shërbimeve dhe investimeve.