Nga Shefqet Kërcelli
Më datë 20 gusht 2026, në kinemanë e qytetit Kavajë u zhvillua ceremonia e “Ditëve të Detarisë kavajase”.
Dhjetëra detarë, marinarë e qytetarë kavajas mbushën sallën e kinemasë, duke dëshmuar dashurinë dhe respektin, që kanë për detin dhe detarët.
Në këtë ceremoni veç veteranëve te detit dhe familjarëve të tyre, mori pjesë kryetari i Bashkisë Kavajë Fisnik Qose, kryetari i Shoqatës Kombëtare “Adrijon”, Kapiten Hamdi Domi, Presidenti i Qendrës së Trajnimeve profesionale Detare “Oqeanic” Krenar Gjoni, etj.
Qëllimi i aktivitetit ishte promovimi i vlerave të detarëve e marinarëve kavajas, të cilët për dekada shërbyen me disiplinë e profesionalizëm në Flotën Tregtare Detare Shqiptare, duke përfaqësuar me dinjitet vendin tonë në mbarë portet e botës.
Fillimisht u ekzekutua himni kombëtar dhe u mbajt një minutë heshtje për detarët e marinarët që kanë ndërruar jetë.
Pastaj e mori fjalën kryetari i Shoqatës Kombëtare Detare “Adrijon” i cili theksoi se,- “detarët kanë qenë gjithmonë larg familjes, me vështirësi komunikimi. Ata përjetuan vështirësi e sakrifica të mëdha dhe u përballën me vetmohim me dallgët e deteve e oqeaneve”.
Kavaja ka nxjerrë një numur të madh kapitenësh, oficerësh, K/mekanikë, mekanikë, motoristë, nostromo, kuzhinierë, të cilët kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Flotës sonë Tregtare.
Ndërkohë kryetari i bashkisë, zoti Fisnik Qose, nënvizoi jetën e vështirë të marinarëve shqiptarë, sa në anije e pastaj në familje, vlerat e tyre si qytetarë të veçantë të Kavajës, të cilat duhen nderuar e respektuar vazhdimisht.
Gjithashtu, ai u zotua se si bashki, do të ngrenë një memorial të veçantë për detarët e marinarët kavajas në një lulishte të qytetit, e cila do jetë vend takimi i detarëve kavajas.


Dhe folësit e tjerë evidentuan sakrificat dhe mundin e marinarëve për të mbajtur familjen dhe për t’i shërbyer ekonomisë së vendit.
Presidenti i Qendrës së trajnimeve profesionale detare “Oqeanic”, Krenar Gjoni, i cili ndihmoi në zhvillimin e këtij aktiviteti, theksoi rëndësinë e transmentimit të vlerave e trashëgëmisë detare tek brezi i ri.
“Trajnimi dhe arsimimi i tyre për të përballuar detin, ka rëndësi të vecantë në formimin e brezit të ri dhe karrierën e tyre”,- theksoi zoti Gjoni.




Në vijim u dhanë “Certifikata mirënjohje” për detarët që kanë ndërruar jetë, për detarë aktivë, pensionistë, si shenjë falenderimi e mirënjohje për punën, sakrificën dhe përkushtimin e tyre.
Nën tingujt e “Këngës së marinarit”, pjesëmarrësit vizituan ekspozitën e detarisë shqiptare, të pasuruar me foto, dokumente, materiale, të detarëve kavajas.

Të pranishmit falenderuan organizatorët, që i dhuruan një aktivitet të tillë tepër mbresëlënës, duke lënë plot urime në “Librin e Përshtypjeve”.
Ishte hera e parë që në qytetin e Kavajës zhvillohet një aktivitet që nderon e vlerëson detarët dhe marinarët e këtij qyteti.





