Pesë persona rezultojnë të zhdukur dhe tetë të tjerë janë plagosur pas një zjarri të fuqishëm që përfshiu një ndërtesë me restorant dhe apartamente në qytetin Thusis, në kantonin Graubunden të Zvicrës, raporton BBC.
Sipas policisë, ndërtesa është “shkatërruar plotësisht” nga flakët. Zjarri dyshohet se ka nisur në katin e dytë, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet.
Policia u njoftua pak pas mesnatës, ndërsa në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan rreth 100 zjarrfikës. Për shkak të shembjes së shkallëve të brendshme, ekipet e emergjencës u detyruan të hapnin çatinë duke përdorur një vinç.
Nga ndërtesa arritën të largoheshin 14 persona. Mes tyre, dy kanë pësuar plagosje të rënda, dy kanë marrë dëmtime të moderuara dhe katër janë plagosur lehtë.
Të plagosurit janë transportuar për trajtim në spitalet e Chur, Thusis, Ilanz dhe Zürich.
Ndërkohë, ekipet e policisë dhe prokurorisë kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa vijojnë kërkimet për pesë personat që rezultojnë të zhdukur.





