Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, ndërsa disa prej vatrave kryesore janë izoluar ose shuar. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 17:00 janë raportuar 10 vatra zjarri, prej të cilave 4 vijojnë aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.
Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në zonat problematike, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe jetës së qytetarëve.
“Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve.
(22 Gusht 2026 – ora 17:00)
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 17:00, situata e zjarreve paraqitet në përmirësim, me disa nga vatrat kryesore të izoluara ose të shuara.
Gjatë ditës janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.
Në operacione janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
* Gojan–Gjegjan, Pukë – Situata ka shënuar përmirësim të ndjeshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar dhe vijon kontrolli i vijës së zjarrit për të parandaluar riaktivizimet. Gjatë ditës janë angazhuar forca të MZSH Pukë, Fushë-Arrëz dhe Kamëz, shërbimi pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë/banorë dhe 40 efektivë të FA-së, të mbështetur nga mjete zjarrfikëse, ekskavator dhe 2 helikopterë të FA-së.
* Prozhem, Pukë – Vatra vijon aktive në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar MZSH, Shërbimi Pyjor dhe banorë të zonës. Intensiteti ndikohet nga era, por aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
* Shtanë–Tenë, Mirditë – Vijon operacioni me forcat vendore dhe FA. Nuk ka rrezik për banesat.
* Mali i Dajtit – Vijon ndërhyrja me 25 efektivë MZSH, 5 forca ADZM dhe 30 efektivë të FA-së, me mbështetje nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht, ndërsa vatrat e tjera vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje nga strukturat në terren.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, shkruan Ministria e Mbrojtjes.





