Situata vijon të jetë kritike prej disa ditësh në Gojan të Pukës, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe tashmë po kërcënon seriozisht zonat e banuara.

Flakët kanë përshkuar thuajse një mal të tërë, ndërsa gjatë orëve të natës situata është përkeqësuar. Pamjet nga vendngjarja tregojnë vatrat e zjarrit të përhapura në terren, me flakët që shfaqen të pakontrolluara dhe që vijojnë të avancojnë në drejtim të fshatrave.

Ndërhyrja nga toka paraqitet e pamundur, për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave që ka marrë zjarri. Përballë rrezikut të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara, prej disa ditësh ka nisur edhe evakuimi i banorëve nga zonat e prekura, me qëllim shmangien e rrezikut për jetën.

Situata mbetet shqetësuese, ndërsa vijon monitorimi i zjarrit dhe përpjekjet për të parandaluar afrimin e flakëve drejt banesave.