Mbi 5 kilogramë lëndë narkotike, mes tyre rreth 3 kilogramë kokainë dhe 2 kilogramë heroinë, janë sekuestruar në kuadër të një operacioni antidrogë në Tiranë.
Në pranga kanë përfunduar Mirland Herri dhe Luftim Hoxha, të cilët dyshohet se ishin furnizues të rëndësishëm të drogave të forta për shpërndarësit në zonën e Kamzës.
Sipas burimeve, hetimi ndaj dy të arrestuarve kishte nisur rreth dy muaj më parë nga Antidroga e Tiranës, pas informacioneve për aktivitetin e tyre të dyshuar kriminal.
Hetuesit dyshojnë se sasia e drogës ishte siguruar në zonën e Institutit. Në ditën e finalizimit të operacionit, policia kishte informacion se dy të arrestuarit do ta transportonin lëndën narkotike drejt Durrësit, me qëllim shpërndarjen e saj në doza më të vogla.
Burime bëjnë me dije se hetimet nuk janë mbyllur me arrestimin e dy personave. Policia e Tiranës po verifikon edhe aktivitetin e një tjetër grupi kriminal në zonën e Sukthit, i cili dyshohet se kishte lidhje dhe bashkëpunonte me të arrestuarit.
Operacioni konsiderohet pjesë e një serie goditjesh të ndërmarra nga strukturat e Antidrogës kundër rrjeteve të shpërndarjes së narkotikëve. Në muajin qershor, në një tjetër operacion, policia sekuestroi 2 kilogramë kokainë dhe 1 kilogram heroinë, duke goditur persona të dyshuar si furnizues të rëndësishëm të tregut të drogës.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin e furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.





