Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se mbetjet mortore të gjetura dhe zhvarrosura në Zubin Potok përkojnë me atë që njihet si “grupi i intelektualëve” të zhdukur në veri të vendit gjatë luftës së viteve 1998-’99, por shtoi se identifikimi i plotë i tyre mund të marrë disa muaj kohë.
Pas gërmimeve që zgjatën katër javë, të hënën Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur e prezantoi një raport në Prishtinë lidhur me këtë proces.
Duke folur gjatë prezantimit të raportit, Kurti tha se gërmimet përfunduan me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që vlerësohet se u përkasin së paku 23 njerëzve, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Numri 23 përkon me atë që njihet si ‘Grupi i intelektualëve’, të cilët më 19 prill të vitit 1999, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal”, tha Kurti.
Megjithatë, shtoi ai procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, “andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë së për kë bëhet fjalë dhe, bashkë me familjet, t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”.
Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.
Në mesin e tyre ishte edhe mjeku Adem Ademi, motra e të cilit i tha Radios Evropa e Lirë pas fillimit të gërmimeve në Zubin Potok se beson se aty mund të jenë të varrosur pjesëtarët e grupit të vëllait të saj.
“Unë i them vetes, padyshim, 100 për qind, se është grupi i vëllait tim, Adem Ademit. Mendoj se pas kësaj, do të na pushojnë shpirtrat, do ta kemi një varr ku për një festë, një ditëlindje, një Bajram, do të çoj një buqetë lulesh dhe do të shkoj të flas me të”, tha Lutfije Ademi – Vokshi.
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për Ballkanin Perëndimor, i cili do të marrë në identifikimin e tyre, i tha REL-it ditë më parë se gjetja e mbetjeve mortore ishte vetëm fillimi i një procesi kompleks identifikimi.
Ky institucion pritet të kryejë analizat e ADN-së dhe krahasimin e mostrave biologjike për të arritur identifikimin e mbetjeve mortore.
Ai tha se gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin. Në rastet më komplekse, sipas tij, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.
ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999. Sipas një raporti të institucionit të vitit 2017, mbi 2.500 nga rreth 4.500 personat e zhdukur nga lufta dhe pasojave të saj ishin identifikuar me ndihmën e teknologjisë së ADN-së.
Rreth 2.000 raste të tjera ishin identifikuar përmes metodave tradicionale, kryesisht para vitit 2002.
Ndërkohë, Kurti gjithashtu përsëri i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta shtojë trysninë ndaj Serbisë për ta bërë t’i hapë dhe t’i vërë në dispozicion arkivat shtetërore, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Doemos më duhet ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka kryer masakra, posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. Familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet, nuk mund dënohen me pritje, ankth e dhimbje, edhe për 18 vjet të tjera”, theksoi Kurti.
Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe u zhvilluan në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.
Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se për këtë rast po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Që të tre ndodhen në paraburgim.
Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme./REL





