Një drejtues Jet Ski është gjobitur me 500 mijë lekë të rinj dhe i është bllokuar mjeti lundrues, pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë në plazhin e Ksamilit.
Mjeti ka hyrë në zonën e pushuesve, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë kontrollet përgjatë bregdetit për parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve.
Njoftimi:
Ksamil/Shkeli perimetrin e sigurisë, duke futur mjetin lundrues Jet Ski në zonën e pushuesve, ndëshkohet me gjobë 500 000 lekë të rinj drejtuesi dhe i bllokohet mjeti lundrues.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë me intensitet kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në plazhin e Ksamilit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në plazh.
Në përfundim të veprimeve administrative, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj, ndërsa mjeti lundrues në pronësi të tij u bllokua në portin e Sarandës.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to, që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e pushuesve.
Kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me fokus të veçantë garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e çdo shkeljeje që rrezikon jetën e tyre.





